Zyra Kombëtare e Auditimit i shpenzon 160 mijë euro në vit për qiranë e objektit

Zyra Kombëtare e Auditimit, tash e sa kohë, po kërkon që ta zgjidh çështjen e objektit, pasi që nga themelimi i saj qëndrojnë në një objekt privat.

Qiraja vjetore që e paguan ky institucion është më shumë se 160 mijë euro, teksa pjesa më e madhe e buxhetit për mallra dhe shërbime shkon për qira.

Drejtuesja e këtij institucioni, Vlora Spanca, u shpreh se kanë adresuar kërkesa te institucionet relevante, ajo thotë se kanë marrë zotime se do t’u zgjidhet ky problem.

“Zyra Kombëtare e Auditimit që nga themelimi ka operuar në vazhdimësi në objekte private, tashmë edhe jemi të vendosur në një objekt privat ku paguajmë një shumë të madhe të qirasë. Kjo për ne si institucion suprem i auditimit nuk është e mirë, si për reputacionin dhe kredibilitetin”, u shpreh Spanca.

“Shuma të cilën ne e paguajmë është diku 162 mijë euro në vit dhe është shumë mjaft e lartë.  Pothuajse pjesa më e madhe e buxhetit për mallra dhe shërbime shkon për qiranë, përderisa ne kemi nevoja të shumta që të investojmë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit tonë. Shpresoj që Qeveria do të ndërmarrë masa për shkak se kontrata e qiradhënies në këtë objekt ku jemi do të përfundojë në korrik të vitit të ardhshëm”, u shpreh ajo. /eo/

Go to TOP