Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë thellojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë penale

Në kuadër të Forumit të 4-t të Kryeprokurorëve të Përgjithshëm të Ballkanit, që po mbahet në Sofje, Bullgari, Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Sami Istrefi, kanë zhvilluar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, z. Olsian Çela, Drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, z. Arens Çela, si dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, z. Erjon Shqarri.

Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet.

Palët u pajtuan se forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.

Në fund të takimit, U.d. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, e ka ftuar për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, z. Olsian Çela, e cila vizitë do të realizohet së shpejti. 


Go to TOP