Zogaj: 28 nëntori, një amanet për ruajtjen dhe avancimin e vlerave kombëtare
Sot, në seancën solemne të Kuvendit të Prishtinës, nënkryetari Alban Zogaj mbajti një fjalim përkujtimor në nder të Ditës së Flamurit, 28 nëntorit. Në fjalimin e tij, Zogaj theksoi rëndësinë historike të kësaj date duke e cilësuar si mishërim të historisë, krenarisë dhe sakrificës kombëtare.
“28 nëntori na kujton aktin historik të Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, por gjithashtu na bën të reflektojmë për sakrificat e të gjithë atyre që luftuan për liri dhe dinjitet kombëtar,” tha Zogaj.
Me respekt të veçantë, ai vlerësoi kontributin e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si arkitekt të pavarësisë, si dhe heroizmin e Komandantit Adem Jashari, të cilin e quajti simbol të luftës për liri.
Në përmbyllje të fjalimit, Zogaj e cilësoi Ditën e Flamurit jo thjesht si një datë historike, por si një amanet që u kujton shqiptarëve përgjegjësinë për të ruajtur dhe avancuar vlerat kombëtare.
“Flamuri ynë është simboli që na bashkon dhe na frymëzon për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për brezat që vijnë,” përfundoi ai.
Në këtë ditë të veçantë, Zogaj uroi gjithë qytetarët duke thënë: “Gëzuar Ditën e Flamurit! Lavdi të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë ditë dhe krenari për gjithë kombin tonë!”. /Kosova.info/
