ZKA-ja auditon procesin e lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Në njoftimin për media nga ZKA, thuhet se auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë se ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore.

Po ashtu ZKA-ja do të vlerësojë edhe nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

“Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ZKA-ja vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit. /Kosova.info/

Go to TOP