Zgjedhjet!
Shkruan: Pal ShTUFI
Një gjë shumë e mirë ka ndodhur dhe po ndodh në politikën e partive: ato po pasurohen me kuadro të reja dhe cilësore. Në këtë aspekt, po prin LDK-ja. Mirëpo, sinqerisht dhe me zemër ua dëshiroj këtë pasurim të gjitha partive të tjera. Furnizimi me kuadro të mira është oksigjen për partitë – aq më tepër për ato që vuajnë pak nga “seniliteti politik”.
Edhe më mirë do të ishte që brenda partive të mos ketë inate dhe “revolucione” të klasës së vjetër, e cila mund të ndihet e lënduar nga prurjet e reja dhe shumë kreative. Meritokracia nuk është pasaportë për gjithçka dhe për kudo. Shumë meritorë të brezit të vjetër duhet të pajtohen me respektin dhe mirënjohjet e pafund që marrin nga partitë. Siç e keni parë, më mirë është të mbetesh i nderuar nga një parti sesa i harruar përgjithmonë (!).
Kujdes: fakti që keni qëndruar 10–15 vjet në të njëjtin pozicion politik nuk është argument për të vazhduar edhe disa vite të tjera aty. Sikur të kishit arritje dhe suksese, nuk do të ishte problem – do të duroheshit. Por spektri ynë politik prej kohësh nuk ka suksese. Prandaj, merrni shembullin e natyrës tek dardhat: kur ato piqen, bien vetë nga pema…
Koalicionet
Lexova shumë reagime negative ndaj atyre partive që po u ofrojnë koalicion ose po i përfshijnë në lista disa parti apo individë të spektrit islamik, apo të ndonjë spektri tjetër problematik. Nuk është gabim. Përkundrazi, kjo është plotësisht normale në demokracitë liberale, por edhe një nevojë praktike për partitë e mëdha. Me rëndësi të ruhet synimi, përkushtimi dhe kultura perëndimore.
