Abdixhiku mobilizon Mërgatën: 28 dhjetori është dita e fitores së përbashkët

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim online me 84 nëndegët e LDK-së në Mërgatë, të cilin e ka cilësuar si nxitje të madhe për energji dhe besim në prag të përfundimit të vitit politik. Ai tha se përkrahja e bashkatdhetarëve nga diaspora është tregues i qartë se partia po ecën në drejtimin e duhur.

Abdixhiku nënvizoi se fraza që e dëgjoi më së shumti nga pjesëmarrësit ishte: “Ju faleminderit që mbajtët fjalën”, një vlerësim që sipas tij dëshmon se besimi ndërtohet mbi konsistencë dhe përgjegjësi. “Kur e mban fjalën, njerëzit vijnë pas; kur e mban fjalën, besimi bëhet shtyllë e pathyeshme”, u shpreh ai.

Kryetari i LDK-së u bëri thirrje të gjithë mërgimtarëve të angazhohen masivisht më 28 dhjetor duke theksuar se diaspora ka qenë historikisht forcë përcaktuese në momente të rëndësishme për Kosovën. Ai kujtoi se në zgjedhjet e fundit lokale, Mërgata e vendosi LDK-në forcën e parë politike, dhe është i bindur se kjo përkrahje do të përsëritet.

“Mërgata gjithmonë vjen kur bëhet fjalë për Kosovën,” deklaroi Abdixhiku duke theksuar se bashkatdhetarët e dinë mirë se çfarë i duhet vendit dhe pse nevojitet një drejtim i ri politik.

Ai përmbylli me një thirrje mobilizuese: “Na pret një betejë e madhe. Na pret një ditë që vendos drejtim. Na pret një moment ku fjala jonë bëhet votë dhe vota bëhet ndryshim. Le ta bëjmë së bashku fitoren e 28 dhjetorit.” /Kosova.info/


Go to TOP