Zgjedhjet pa ndryshim, abuzim politik për mashtrimin e qytetarëve!

Shkruan: Florim ZEQA

Kur zgjedhjet shfrytëzohen për të ardhur në pushtet, dhunohet shteti dhe shkelen interesat e qytetarëve. Politikanët mashtrues, pa fije turpi, e shkatërrojnë të ardhmen e shoqërisë. Bashkë me këtë, po e rrënojnë imazhin e shtetit dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore!

Kush nuk di të qeverisë, kthehet në uzurpator të institucioneve

Këtë po e bën një klasë e papërgjegjshme politike, e cila në vijimësi po arrin t’i mashtrojë qytetarët me kauza të rrejshme, me premtime megalomane dhe të parealizueshme në praktikë, të cilët ndryshe thonë para zgjedhjeve e krejt ndryshe veprojnë pas tyre!

Kjo qasje e gabuar e politikës ka shkaktuar pakënaqësi dhe zhgënjim te qytetarët! Si pasojë e kësaj kemi rënie të daljes së elektoratit në zgjedhje, gjë e cila e vë në pikëpyetje legjitimitetin qeverisës në vendin tonë!

Kjo klasë politike çdo ditë e më shumë po e dëshmon veten se nuk është e aftë të qeverisë me vendin!

Kush nuk di të qeverisë, kthehet në uzurpator të institucioneve shtetërore dhe shkatërrues të jetës së qytetarëve, bashkë me këtë edhe të ardhmërisë së brezave në shtetin e lirë dhe sovran, të fituar me gjak, mund dhe sakrifica të panumërta.

Ata që nuk i mbajnë premtimet elektorale, përveçse mashtrues, janë egoistë të papërmirësueshëm, të cilët e bëjnë luftën vetëm për pushtet dhe privilegje personale.

Karrieristët mendojnë vetëm për poste e privilegje pushtetore, por jo edhe për mirëqenien e qytetarëve, e cila tashmë është kthyer në mbijetesë, kundrejt luksit përrallor që e shijojnë familjet e politikanëve dhe oligarkëve ekonomikë (beglerëve) të shekullit XXI.

Pasuria milionëshe e politikanëve në kundërshtim me interesat e qytetarëve

Politikanët mashtrues dhe uzurpatorë të institucioneve, përmes rrugëve antiligjore, arrijnë në majat e shtetit, duke i harruar të gjitha premtimet elektorale dhe sillen me arrogancë ndaj qytetarëve, duke u dëshmuar paturpësisht para tyre se janë mbi gjithçka dhe mbi secilin në këtë vend!

Ata që e mendojnë se janë bërë “mbretër” dhe “Zot” i qytetarëve vlejnë më pak se njerëz; janë specie antinjerëzore që jetojnë mbi kurrizin e njerëzve të ndershëm të këtij vendi!

Të tillë, në këto vitet e lirisë dhe pavarësisë, janë bërë me bollëk në vendin tonë!

Këta demonë dhe matrapazë të politikës shkelin ligjet dhe Kushtetutën, pasi nuk ia kanë frikën drejtësisë dhe bëjnë çfarë të duan në këtë vend!

Mungesa e barazisë ligjore i ka bërë të fuqishëm shkelësit e ligjeve, kurse pasuria e paligjshme i ka bërë të papërfillshëm ndaj shtresave të ulëta të shoqërisë, duke e ndjerë veten mbi gjithçka dhe mbi secilin në këtë vend!

Nuk ka dhe nuk mund të ketë pasurim të shpejtë në mënyrë të ndershme dhe ligjore! E gjithë pasuria milionëshe e politikanëve është e paligjshme, pasi ajo është ndërtuar në kundërshtim me barazinë ligjore dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

Zgjedhjeve u ka humbur kuptimi! Ato, përveçse të shpeshta, janë kthyer në maskarada politike, të cilat e kanë zbehur në masë të madhe besimin e qytetarëve! Kur zgjedhjet nuk sjellin zgjidhje dhe ndryshim, kthehen në abuzim politik për mashtrimin e qytetarëve.


Go to TOP