Zemaj: Pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat
Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se kjo parti do të merrë pjesë në votim, pa specifikuar në rast se do votojnë pro nëse propozohet Albulena Haxhiu në krye të Kuvendit të Kosovës.
“Ju e dini se ne asnjëherë vendimet tona s’i kemi lidhur me emra të përveçëm. Por krejt çka kemi thënë ka qenë se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha ai, në pyetjen nëse LDK do ta votojë Albulena Haxhiun si kryekuvendare.
“Ne do të marrim pjesë në votim. Janë tri forma të votimit: për, kundër dhe abstenim”, ka thënë shkurt ai, në pyetjen e njëjtë, pa dhënë detaje për pozicionin specifik.
Ai tha se i takon partisë fituese edhe të fitojë vota por edhe të caktojë emrat e përveçëm. “Kjo është një strategji fatkeqësisht e ndërrimit të pozicioneve nga ana e LVV-së e cila në pjesën përmbajtësore të Kuvendit dhe plotësimit të Kushtetutës nuk do të duhej të ishte pjesë e debateve politike ku e lëndon shtetndërtimin e Kosovës. Pako është pjesë e konsensusit politik që është bërë në parapërgatitjen e partive politike dhe strukturës së kaluar të kryesisë. Besoj e shpresoj që gjithçka do të jetë konform vendimeve të deputetëve dhe grupeve parlamentare”, ka thënë ai.
