YIHR Kosova dhe Serbia: Ndalimi i zyrtarëve policor-minim i normalizimit

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë dënojnë bashkërisht ndalimin e pajustifikuar të qytetarëve kosovarë në Serbi.

“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, ndalimi i pajustifikuar i zyrtarëve policor të Kosovës dhe veprimet e ngjashme të njëanshme minojnë drejtpërdrejt procesin e normalizimit duke thelluar hendekun ndërmjet dy shoqërive”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Si YIHR Serbia, ashtu edhe YIHR Kosova u bëjnë thirrje qeverive të Serbisë dhe Kosovës që t’i adresojnë këto çështje përmes dialogut, duke respektuar marrëveshjet e nënshkruara më parë, siç është marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e cila është shkelur qartë në këtë rast nga Serbia.

“Pengimi i qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë lirisht nëpër Serbi dhe ndalimi i tyre brenda Serbisë është i papranueshëm, pasi është e papranueshme mungesa e vullnetit politik si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova për të zbatuar plotësisht Marrëveshjen e fundit të Ohrit (2023) dhe marrëveshjet e tjera tashmë të arritura në procesin e normalizimit”, vazhdon komunikata.

Sipas organizatës me seli në dy kryeqytetet fqinje, ndalimi i policëve të Kosovës, përfshirë zëvendësdrejtorin Dejan Jankoviq, është veçanërisht shqetësuese në vazhdën e rrëmbimit të tre oficerëve të tjerë kosovarë në qershor të vitit 2023.

“Në këtë incident tre policë të Kosovës u akuzuan më pas nga Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Kraljevë për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve dhe materialeve shpërthyese. Megjithatë, hetimi për rrëmbimin në vetvete mbetet i pazgjidhur, me detaje thelbësore ende të paqarta, si identiteti i autorëve dhe mënyra se si këta oficerë u larguan me forcë nga Kosova dhe u transportuan në Serbi. Kjo mungesë qartësie dhe natyra serioze e këtyre incidenteve rrit kompleksitetin dhe tensionet në marrëdhëniet e vazhdueshme rajonale”, njofton YIHR Serbia dhe Kosova.

Go to TOP