Vuçiq: Ditë e vështirë në Bruksel

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se 18 gushti ka qenë ditë e vështirë në Bruksel, por do të përmbahet nga çdo koment.

Ai i është referuar takimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Ndonëse kanë biseduar për disa orë, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe.

Përmes një video-mesazhi në Instagram, ai ka paralajmëruar se do të deklarohet në 48 orët e ardhshme.

“Një ditë e vështirë është prapa nesh, ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin tonë, nuk mund të them se ka përfunduar me sukses, por përmbahem nga komentet e tjera, sepse shpresoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Prandaj do të vazhdoj të luftoj për paqe dhe stabilitet”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Vuçiq – teksa po mbaheshin takimet në Bruksel – ka thirrur një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën, më 21 gusht, në Beograd, sipas mediave në Serbi.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë në një konferencë për media se ndonëse nuk është arritur marrëveshje, negociatat do të vazhdojnë.

Sipas tij takimet Kurtit dhe Vuçiqit, nuk kanë qenë “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”.

Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.

Kosova e ka zbatuar më 1 gusht – për pak orë – pikën për dokumentin për hyrje/dalje dhe e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.

Ndërkohë serbët i kanë hequr barrikadat.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.

Go to TOP