Anglia fundos Kroacinë 4-2
Anglia e ka nisur me një fitore spektakolare 4-2 Botërorin përballë Kroacisë, në Dallas të Teksasit.
E gjitha rezultoi një ndeshje spektakolare, më e bukura e kësaj faze të parë të Botërorit. Pjesa e parë dhuroi katër gola, me dy skuadrat që nuk kishin ndërmend t’i dorëzoheshin goditjeve që i jepnin njëra-tjetrës.
Pa u mbushur 10 minuta lojë, Modriç bën një gafë në mbrojtje duke shkaktuar një penallti naive. I zakonshmi Kane e merr përsipër, por si rrallëherë ndalet nga Livakoviç. Por VAR vendos “lupën” dhe e gjen portierin pak më të avancuar nga vija fatale dhe penalltia përsëritet.
Këtë herë asnjë shans për portierin, Kane lëshon një gjuajtje të pamëshirshme dhe 1-0. Pas golit u duk sikur kroatët nuk kishin forcë të përgjigjeshin, por me kalimin e minutave arritën të rriteshin në lojë dhe të tregonin se as Anglia nuk mund ta ketë të lehtë ndaj tyre.
Në të 36-ën Baturina rikthen baraspeshën me një “raketë” nga jashtë zonës, që nuk i jep asnjë shans Pickfordit. Kalojnë vetëm 6 minuta dhe Anglia gjen sërish avantazhin, me të njëjtin protagonist, Harry Kane, që devijon në rrjetë një kros të Rice nga goditja e këndit.
Kroacia nuk e ka thënë të sajën, sepse në minutat shtesë arrin të barazojë me Musa, i cili shfrytëzon në maksimum një pasim të Perisiç me kokë në zonë. Në pjesën e dytë Anglia vjen më e karikuar dhe pas vetëm një minute e gjysmë nga rinisja arrin të tundë rrjetën me një diagonale të Bellingham.
Në fund kishte festë edhe për Marcus Rashford, i cili shënoi edhe golin e katërt dhe të sigurisë për “Tre Luanët”.
Kështu Anglia e nis me tre pikë aventurën e saj në Botëror, duke konfirmuar veten si një prej pretendentëve të këtij turneu.
REZULTATI LIVE:
Angli 4-2 Kroaci
Kane (p) 12′, 42′, Bellingham 47′ , Rashford 85′ / Baturina 36′, Musa 45+5′
