Ronaldo në qendër të kritikave pas barazimit me Kongon

Cristiano Ronaldo nuk arriti t’u japë përgjigje kritikëve të tij në ndeshjen e parë të Portugalisë në Kupën e Botës 2026, teksa “Seleçao” u ndal në një barazim 1-1 ndaj Kongos në Grupin K.

Sulmuesi 41-vjeçar, i cili po merr pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, pati dy raste të mira në pjesën e dytë për t’i siguruar fitoren Portugalisë, por në të dyja rastet nuk arriti të konkretizojë nga afërsia.

Paraqitja e Ronaldos u konsiderua e vakët, pasi ai pati vetëm 25 prekje të topit, më pak se çdo lojtar tjetër portugez që qëndroi në fushë më shumë se 45 minuta.

Pas ndeshjes, trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, shmangu kritikat direkte ndaj kapitenit të tij, duke theksuar se skuadra nuk arriti ta furnizonte sa duhet me topa në zonën kundërshtare.

“Sulmuesi kryesor duhet të jetë pranë zonës së rreptësisë dhe ne duhet ta dërgojmë topin te ai”, tha Martinez.

I pyetur nëse kishte menduar ta zëvendësonte Ronaldon, trajneri spanjoll e mbrojti vendimin për ta mbajtur në fushë.

“Nuk ka kuptim ta largosh golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit në një ndeshje ku ke nevojë për gola. Përvoja e tij në zonë është shumë e rëndësishme për ne”, u shpreh ai.

Megjithatë, debati mbi rolin e Ronaldos në përfaqësuese vazhdon. Pavarësisht rekordit prej 143 golash në 229 paraqitje me Portugalinë, shumëkush po vë në dyshim nëse veterani duhet të mbetet titullar i padiskutueshëm në një skuadër që ka alternativa të shumta në repartin ofensiv.

Portugalia do të kërkojë reagim në ndeshjen e ardhshme ndaj Uzbekistanit, përpara se të përballet me Kolumbinë në takimin e fundit të Grupit K.

Go to TOP