Vuçiq: Një tjetër shtet do ta tërheqë njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se një shtet tjetër do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

I pyetur se cili është “lajmi i mirë” të cilin e njoftoi sot, Vuçiq ka thënë para gazetarëve në Mynih, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, se “kemi një notë tjetër për tërheqje të njohjes së Kosovës nga një shtet”, transmeton N1.

Por, sipas Vuçiqit, emri i shtetit nuk mund të bëhet i ditur pasi “marrëveshja është të pritet 10 ditë dhe pastaj të bëhet e ditur”.

“Ne vazhduam punën tonë dhe posedojmë një notë tjetër për tërheqjen e njohjes së Kosovës, por marrëveshja është që ai vend të presë 10 ditë dhe pastaj do të zbulojmë emrin”, ka thënë ai.

Sipas tij, është vendi i 27-të apo i 28-të që ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Në fillim të këtij viti, Vuçiqi kishte paralajmëruar se janë siguruar nëntë çnjohje të pavarësisë së Kosovës. Por ato ishin mohuar nga institucionet e Kosovës.

Go to TOP