Vuçiq akuzon Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën për “aleancë kundër Serbisë”, por garanton forcën e ushtrisë së tij
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, akuzoi sot Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën për krijimin e një aleance ushtarake “kundër Serbisë”, gjatë një deklarate për mediat në Pekin. Ai theksoi se ushtria serbe është e fortë dhe e gatshme për të penguar çdo agresor të mundshëm.
“Jo rastësisht Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan një aleancë ushtarake. Dhe ata nuk e bënë për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë… Nuk jemi budallenj që nuk e kuptojmë pse e bëtë,” u shpreh Vuçiq, raporton agjencia Beta.
Ai nuk përmendi drejtpërdrejt cilën aleancë kishte parasysh, por referimi mund të lidhet me deklaratën mbi bashkëpunimin në mbrojtje të nënshkruar nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova në mars, e cila synon stabilitetin, sigurinë në Ballkan dhe forcimin e aleancës mes këtyre vendeve.
Vuçiq pohoi se Serbia nuk ka qëllim të sulmojë askënd, por po forcon ushtrinë për të mbrojtur integritetin territorial. Ai gjithashtu njoftoi se më 20 shtator do të zhvillohet një paradë ushtarake, ku sipas tij, publiku do të shohë “shumë gjëra të reja”.
Ky reagim erdhi gjatë vizitës së tij në Pekin, në një paradë të madhe ushtarake që shënonte 80 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. /Kosova.info/
