Veterineri nga Skënderaj mban ligjëratë rreth kujdesit ndaj kafshëve, nxënësit i dedikojnë letër falënderimi
Veterineri nga Skënderaj, Bledion Rushiti, ka vizituar shkollën fillore “Dëshmorët e Qyqavicës”, ku ka mbajtur një ligjëratë rreth kujdesit ndaj kafshëve. Nxënësit kanë pritur me entuziazëm këtë vizitë duke shprehur falënderimin e tyre përmes një letre të shkruar me dorë.
Në letrën e përzemërt, nxënësit falënderojnë Rushitin për kohën dhe informacionet e dhëna, si dhe për mundësinë që patën të shohin nga afër kafshët që veterineri kishte sjellë.
“Shpresojmë që do të na vizitosh sërish,” shkruajnë nxënësit në fund të letrës duke shprehur dëshirën për takime të tjera edukuese.
“Shpirti shërohet duke qëndruar me fëmijë”, ka shkruar Rushiti në profilin e tij në Facebook duke cituar Fjodor Dostojevskin.
Ai e cilësoi këtë përvojë si një ditë të mbushur me energji pozitive dhe kënaqësi.
Nisma të tilla po vlerësohen si shembull i mirë për ndërgjegjësimin e gjeneratave të reja mbi dashurinë dhe kujdesin ndaj kafshëve. /Kosova.info/
