Përfundon master plani për zgjerimin e ngrohjes në Lagjen Kalabria, Termokos premton kapacitete të dyfishuara
Pas rikthimit të ngrohjes në Lagjen Kalabria, një tjetër lajm i mirë vjen për banorët e kësaj zone. Ndërmarrja publike Termokos ka përfunduar master planin, i cili përcakton kapacitetin e nevojshëm termik për të mbuluar plotësisht këtë lagje.
Ky plan parashikon zgjerimin e sistemit të ngrohjes, duke u bazuar në projektet strategjike Solar4Kosovo dhe dyfishimin e kapaciteteve ekzistuese të ngrohjes. Sipas Termokos, implementimi i këtyre projekteve do të mundësojë një furnizim më të qëndrueshëm dhe më miqësor ndaj mjedisit.
“Po punojmë pandalë dhe me profesionalizëm për të përmbushur nevojat e qytetarëve dhe për ta bërë Prishtinën një kryeqytet të gjelbër,” ka deklaruar kryeshefi i Termokos, Fisnik Osmani.
Projektet janë pjesë e vizionit të kryeqytetit për zhvillim të qëndrueshëm dhe efikasitet energjetik duke kontribuar në zvogëlimin e ndotjes së ajrit në Prishtinë. /Kosova.info/
