Vendosen afishe me foto të terroristit të Banjskës në veri, Policia i kap disa të mitur, bastisten shtëpitë e tyre

Një person i mitur është kapur në flagrancë pas mesnatës në veri ndërsa ngjiste “disa pamflete” që Policia thotë se nxitnin urrejtje.

Ndër tjerash, në Mitrovicën e Veriut janë ngjitur edhe afishe me fotografi të, Stefan Nedeljkoviqit, njërit prej paramilitarëve të vrarë serbë që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani i tha Gazetës Express se për këtë rast, përveç të miturit të kapur në flagrancë, janë ndaluar e intervistuar edhe tre persona të tjerë, gjithashtu të mitur, ndërsa për të pestin tha se po punojnë “në drejtim të asaj që të intervistohet”.

“Mbrëmë rreth orës 01.00 në mëngjes, një person është has duke ngjit disa pamflete që pas verifikimit ka sjell deri tek inicimi i rastit nxitje e urrejtes. Ky person me urdhër të prokurorit është ndalu dhe deri tani janë identifiku edhe katër persona të tjerë”, tha Elshani.

Elshani tha se janë bastisur edhe shtëpitë e secilit prej atyre që u intervistuan dhe se gjatë kontrolleve në shtëpitë e tyre në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok janë gjetur “mbi 1500 pamflete”.

“Tre nga ta janë intervistu, janë gjetë prova materiale që e mbështesin veprën nxitje e urrejtjes dhe momentalisht jemi duke punu në drejtim të asaj që të intervistohet edhe personi i 5-të në lidhje me këtë rast”, tha ai.

Elshani tha se “përpos personit të parë që është arrestu, tre të tjerët pas intervistimit janë liru në procedurë të rregullt”.

“Të gjithë personat e identifikuar apo të intervistuar (duke përfshir edhe të ndaluarin) janë të mitur”, saktësoi Elshani.

Go to TOP