Veliu: Humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së janë verdikt politik, kërkohet reflektim dhe ndryshim i menjëhershëm
Ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar ashpër pas humbjeve të njëpasnjëshme elektorale të LDK-së duke i cilësuar ato si një verdikt të qartë politik dhe jo si rastësi.
Përmes një qëndrimi publik, Veliu thekson se mungesa e reflektimit pas këtyre humbjeve përbën jo më një gabim, por një refuzim të drejtpërdrejtë të përgjegjësisë politike. Sipas tij, një parti që synon besimin e qytetarëve nuk mund të sillet sikur humbjet nuk kanë autor dhe sikur përgjegjësia nuk ekziston.
Ai kritikon ashpër mbylljen ndaj kritikës, mungesën e analizës së brendshme dhe kapjen e vendimmarrjes duke vlerësuar se këto dukuri e kanë dëmtuar rëndë LDK-në dhe e kanë larguar nga misioni i saj historik.
Agim Veliu ka kërkuar publikisht dhe pa ekuivoke:
llogaridhënie politike për humbjet e pësuara,
transparencë të plotë në proceset e vendimmarrjes, e cila sipas tij mungon prej kohësh në LDK,
hapjen e menjëhershme të një procesi të brendshëm demokratik, me garë reale në të gjitha nivelet e partisë.
“Askush nuk është mbi partinë. Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja”, ka theksuar Veliu duke paralajmëruar se pa reflektim dhe ndryshim të thellë, drejtimi aktual nuk mund të mbrohet më dhe nuk i shërben së ardhmes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deklarata e tij pritet të nxisë debat të fortë brenda LDK-së, në një moment kur partia po përballet me kërkesa gjithnjë e më të zëshme për reformë dhe riorganizim të thellë. /Kosova.info/
