Valerie Pecresse, kandidate e konservatorëve për presidente të Francës

Valerie Pecresse, që veten e ka përshkruar “një e treta Thatcher, dy të tretat Merkel”, e ka fituar garën e konservatorëve francezë për t’u nominuar kandidate në zgjedhjet presidenciale të Francës të vitit të ardhshëm.

Sipas anketave, kryetarja e rajonit Ile-de-France, ku shtrihet edhe kryeqyteti Paris, mund të fitojë rreth 11 për qind të votave në zgjedhjet që priten të mbahen në prillin e vitit të ardhshëm, duke pasur pak gjasë për ta siguruar pjesëmarrjen në balotazh, lëre më për fitore.

Me gati 61 për qind të votave, Pecresse e mposhti djathtistin Eric Ciotti në garën brenda konservatorëve, shkruan Reuters, përcjell Kosova.info.

“Do ta kthejmë krenarinë e Francës dhe do t’i mbrojmë francezët”, tha Pecresse në selinë qendrore të partisë pak kohë pas publikimit të rezultateve.

Ajo ka thënë se nëse fiton, do t’i japë fund javës së punës prej 35 orësh, se do ta rrisë moshën e pensionimit në 65, se do të mbyllë 200.000 vende pune në sektorin publik dhe se do të ndërtojë më shumë reaktorë bërthamorë.

Go to TOP