Ulutash-Sorensen: Bashkëpunim për sigurinë dhe normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjenerallejtënant Özkan Ulutaş, priti në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, z. Peter Sørensen.
Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Ulutaş theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe mbështetjen ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili është kyç për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal, në dobi të të gjitha komuniteteve.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë, në mënyrë të paanshme. Misioni punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë. /Kosova.info/
