Policia e Kosovës realizon transferimin e një të dënuari nga Çekia dhe ekstradimin e një të dyshuari nga Gjermania
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferimin e një të dënuari dhe ekstradimin e një të dyshuari nga Çekia dhe Gjermania drejt Kosovës.
Me datë 13 janar 2026, është transferuar shtetasi i Kosovës, i dënuar në Çeki për veprën penale “vrasje në tentativë”. Pas transferimit, i njëjti i është dorëzuar shërbimit korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në Çeki.
Ndërsa më 14 janar 2026, është ekstraduar nga Gjermania shtetasi tjetër i Kosovës, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprat penale: mbajtje dhe kontroll të armës, lëndim trupor dhe kanosje. Ky ekstradim u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë, dhe i dyshuari pas ardhjes në vend i është dorëzuar njësive përkatëse policore për vijimin e procedurave ligjore.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor thekson se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe kapjen e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. /Kosova.info/
