Ukraina mbështet krijimin e një zone të sigurt në Zaporizhja

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mirëpritur thirrjet e agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një zone të sigurt në centralin e Zaporizhjës.

Ky central bërthamor është okupuar, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit. Kjo uzinë ka qenë nën sulme të vazhdueshme, teksa Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për rrezikimin e centralit.

Granatimet thuhet se mund të shkaktojnë lirim të materialeve rrezatuese.

Në raportin e publikuar më 6 shtator nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore u tha se prezenca e pajisjeve ushtarake ruse në central mund të minojë sigurinë e ndërtesës bërthamore.

Granatime pati edhe gjatë javës së kaluar kur një ekip i kësaj agjencie të OKB-së qëndroi në Zaporizhja, tha kreu i kësaj agjencie, Rafael Grossi, paralajmëroi se ka rrezik real për fatkeqësi bërthamore.

Në Zaporizhja janë ende edhe dy inspektorë të OKB-së, teksa të tjerët janë larguar.

Zelensky tha se do të mbështeste krijimin e një zone të sigurt nëse diçka e tillë ka për synim të çarmatosjes së territorit pranë centralit. Ai tha se në raportin e OKB-së u theksua prezenca e armatimeve të rënda ushtarake ruse në central dhe presioni ndaj punonjësve, si dhe “referenca të qarta të pushtimit ushtarak rus”.

Në ditën kur u publikua raporti, Rusia akuzoi Ukrainën se ka sulmuar zonën pranë centralit tri herë. Ndërkaq, Kievi i ka akuzuar forcat ruse se po përdorin këtë uzinë bërthamore si mbrojtje nga granatimet.

Në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore u theksua se 907 punonjësit ukrainas të Zaporizhjës po punojnë “në stres të jashtëzakonshëm”, pasi ky central operohet nga stafi ukrainas, por është nën kontrollin rus.

Në raport, agjencia dha detaje për dëmet e shkaktuara në central dhe tha se granatimet e vazhdueshme ende nuk kanë shkaktuar ndonjë emergjencë bërthamore. Megjithatë, sulmet u tha se paraqesin rrezik të vazhdueshëm të sigurisë “që mund të çojë në pasoja radiologjike” me pasoja të mëdha të sigurisë.

Kjo agjenci e OKB-së bëri thirrje për masa të menjëhershme që të shmanget ndonjë aksident bërthamor nga aktivitetet ushtarake, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të pajtohen se “një zonë e mbrojtjes bërthamore” duhet të krijohet për të shmangur dëme të mëtejme.

Këshilli i Sigurimit mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme pas publikimit të raportit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se “si hap i parë, forcat ruse dhe ukrainase duhet të zotohen se nuk do të përfshihen në asnjë aktivitet ushtarak ndaj centralit ose nga centrali bërthamor”.

Go to TOP