Ukaj: Kosova në rrënim demokratik dhe izolim ndërkombëtar për shkak të një klike që përçmon lirinë
Publicisti dhe intelektuali Ndue Ukaj ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale të lirisë së mediave në Kosovë duke e cilësuar raportin më të fundit për këtë çështje si një pasqyrim tragjik të rrënimit të vendit nën një regjim që është në kundërshtim me vlerat perëndimore. Sipas Ukajt, Kosova po sundohet nga një klikë që nuk ka asnjë lidhje me idealet demokratike dhe që ushqen urrejtjen përmes pushtetit duke shtypur çdo ndjeshmëri për lirinë njerëzore dhe të mediave.
“Një vend i sunduar nga halldupët, aty ku urrejtja gëlon dhe fuqia përdoret për shtypje, nuk mund të ketë liri. Këta mendojnë se liria është vetëm ajo që përputhet me mendimin e liderit dhe atyre që i shërbejnë atij në mënyrë të nënshtruar,” shkruan Ukaj.
Ai ka kritikuar ashpër klasën aktuale politike duke e quajtur “primitive dhe arrogante”, e cila, sipas tij, ka izoluar Kosovën më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e saj moderne. Ukaj thotë se Kosova është tash e sa kohë nën sanksione të Perëndimit, një tregues ky i vendndodhjes së saj në anën e gabuar të historisë.
“Na paraqitet si normale kjo tragjedi politike, dhe kjo më së shumti më shqetëson – jo vetëm marrëzia që po konsolidohet, por edhe mungesa e reagimit intelektual dhe indiferenca përballë këtij degradimi,” thekson ai.
Duke kujtuar epokën e udhëheqjes së Ibrahim Rugovës dhe idealet që dikur e bënin Kosovën kampione të demokracisë në rajon, Ukaj shpreh zhgënjimin e thellë me degradimin e tanishëm institucional dhe moral të vendit.
“Është absurde të presësh ndjeshmëri për lirinë e medias nga ata që e shkaktojnë frikën përmes aparatit të dhunës,” përfundon ai duke ngritur alarmin për një nevojë urgjente të reflektimit shoqëror dhe politik. /Kosova.info/
