Ukaj: Injoranca është armiku kryesor i Kosovës, fjalimi i Kurtit dëshmon degradimin politik

Publicisti dhe shkrimtari Ndue Ukaj ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të fundit të kryeministrit në largim, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një tregues të mjerimit politik dhe degradimit shoqëror në vend.

Duke cituar George Orwellin, Ukaj thekson se injoranca ka një fuqi shkatërruese dhe se sa herë që njerëzimi e ka nënvlerësuar këtë fakt, ka rrëshqitur në kriza fatale. Ai e sheh këtë si një problem të thellë për Kosovën, ku sipas tij, në vend që të përballet me realitetin, një pjesë e shoqërisë i kanalizon dështimet e brendshme drejt “armiqve” të jashtëm.

“Ky nuk është prodhim i humorit vulgar apo mendjeve të skajshme, por fjalim i kryeministrit që ka qeverisur për katër vite dhe tani kërkon një mandat të tretë. Ky lajm tregon se çfarë udhëheqësi primitiv kemi dhe sa e rëndë është gjendja politike dhe shoqërore,” shkruan Ukaj.

Ai kritikon ashpër mbështetësit e pakusht të Kurtit në rrjetet sociale, duke i quajtur “trushpëlarë” që kërkojnë fajtorë jashtë Kosovës, në SHBA, Europë apo Shqipëri, ndërsa sipas tij, problemi kryesor i vendit mbetet “shkalla kritike e injorancës.”

“Armiku numër një i Kosovës nuk është jashtë saj, por mungesa e mendimit kritik dhe rënia e standardeve politike e shoqërore. Është e pashpjegueshme si mund të vazhdojmë të jetojmë në një realitet kaq të deformuar,” përfundon Ukaj. /Kosova.info/


Go to TOP