U shfaq premiera e filmit “Në Errësirën e Diellit, Kosova” në Prizren
Premiera e shumëpritur e filmit “Në Errësirën e Diellit, Kosova” u mbajt mbrëmë në qytetin e Prizrenit, në kinemanë ‘DokuKino’, ku morën pjesë aktorët kryesorë, ekipi realizues si dhe një numër i madh të ftuarish.
Në premierën e këtij filmi ishin të pranishëm edhe Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, deputetja e KDTP-së, Fidan Brina Jılta, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së Hysen Hundozi, përgjegjësja e lajmeve në gjuhën turke në RTK, Fatma Hoca, kryetari i Komunës së Mamushës Abdülhadi Krasniç, Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Prizren, Celal Doğan dhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” Ramazan Yılmaz.
Filmi, i regjisorit Haktan Özkan dhe me koordinatoren ekzekutive Canan Yılmaz, ndërthur zhanret aksion, dramë dhe trilerë politik. Ai trajton përpjekjen e agjentëve turq për të parandaluar një luftë të madhe të mundshme në Ballkan, duke sjellë njëkohësisht në vëmendje edhe traumat individuale e shoqërore të luftës.
Aktori kryesor Gökhan Tunalıgil, me origjinë nga Kosova, u shpreh i lumtur që premiera u mbajt në vendlindjen e tij:
“Është një kënaqësi e madhe për mua të prezantoj këtë film në atdheun tim, ku kam lindur dhe jam rritur”, tha ai.
Në film, Tunalıgil interpreton rolin e agjentit të posaçëm Mirsad; Ebru Taşçı shfaqet në rolin e shefes së Inteligjencës së Kosovës si Ayser, ndërsa Ayhan Krüezi luan mikun e fëmijërisë së Mirsadit, Haris. Përveç skenave të aksionit, lidhjet e forta mes personazheve e theksojnë dimensionin dramatik të filmit.
Filmi është xhiruar në Kosovë, Turqi, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë dhe spikat me skena që pasqyrojnë trashëgiminë historike të Ballkanit. Në kast bëjnë pjesë gjithashtu Ümit Acar, Müge Ulusoy, Bora Sivri, Ali Düşenkalkar, Ayhan Işık dhe Sonay Buş.
Filmi “Në Errësirën e Diellit, Kosova”, i prodhuar nga Çiçek Yapım dhe i shpërndarë nga CJ ENM Türkiye, do të fillojë të shfaqet në kinematë e Turqisë më 5 shtator.
