Trepça pëson humbje të thellë nga Ludwigsburg
Kampionia e Kosovës, Trepça, ka pësuar një humbje të thellë me rezultat 87:54 ndaj skuadrës gjermane MHP RIESEN Ludwigsburg në ndeshjen e zhvilluar për javën e pestë të grupeve në FIBA Europe Cup.
Ndeshja është luajtur në Gjermani, ku Ludwigsburgu ka dominuar duke fituar të katër çerekët.
Mitrovicasit e kanë nisur ndeshjen mirë me një seri 0:6, të përkrahur nga tifozët shqiptarë në Gjermani. Megjithatë, Ludwigsburgu e ka marrë kontrollin e lojës duke e mbajtur epërsinë deri në fund.
Skuadra gjermane e ka fituar çerekun e parë 15:11 dhe ka vazhduar me fitore të thella në pjesën e mbetur, duke e fituar çerekun e dytë 25:13, të tretin 25:16 dhe të fundit 22:14, për ta përfunduar ndeshjen me rezultat 87:54.
Për Trepçën, më të dalluarit kanë qenë Larry Thomas me 21 pikë dhe Mikaile Tmusiq me 14.
Kjo ishte humbja e pestë për mitrovicasit në po aq ndeshje në këtë garë.
Ndeshjen e fundit në grup, Trepça do ta zhvillojë më 13 nëntor kundër Caledonia. /Kosova.info/