Therja me thikë e 25-vjeçarit në Istog, Prokurori i lë të lirë tre të dyshuarit

Një 25-vjeçar është therur shtatë herë me thikë mbrëmjen e së mërkurës në Saradan të Istogut. Për rastin, policia fillimisht ka arrestuar tre persona të dyshuar, të njëjtit pastaj janë liruar nga prokurori në procedurë të rregullt.

Detaje për therje ka dhënë policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh. Rastin në polici është paraqitur nga nëna e viktimës.

“Saradran, Istog 04.01.2023, 17:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se djali i saj viktima mashkull kosovar është therur me thikë nga persona të panjohur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkohë, 25-vjeçari është duke u trajtuar në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Për gjendjen e tij janë deklaruar nga spitali, përmes një njoftimi publik ku thuhet se pacienti ka pasur tetë plagë në kokë, ekstremite dhe pjesë të tjera të trupit.

Go to TOP