“Termokos” nis sezonin e ngrohjes 2025/2026, tetë ditë para afatit të zakonshëm
Ndërmarrja Publike “Termokos” SH.A. ka filluar sot sezonin e ngrohjes 2025/2026, tetë ditë më herët se afati i zakonshëm për nisjen e furnizimit me energji termike. Ky vendim është marrë si reagim ndaj përkeqësimit të motit dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, përkatësisht me rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për furnizim me energji termike.
Sipas njoftimit zyrtar, “Termokos” ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe në koordinim të ngushtë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka nisur pranimin e energjisë termike për furnizimin e qytetit të Prishtinës.
Ky është viti i dhjetë i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet NP “Termokos” dhe KEK-ut, përmes të cilit po sigurohet një furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor për mbi 25 mijë konsumatorë në kryeqytet.
Nga ndërmarrja bëhet e ditur se procesi i fillimit të operimit po zhvillohet me kujdes të shtuar, për shkak të kompleksitetit të sistemit të ngrohjes, dhe se kapacitetet e pranimit e shpërndarjes së energjisë do të rriten gradualisht.
“Termokos” ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve, pasi do të nevojiten disa orë që ngrohja të arrijë në radiatorët e tyre nëpër shtëpi e zyra. /Kosova.info/
