Tentim vrasja në Llap për shitblerjen e një traktori, ky është i dyshuari tjetër që u ndalua nga Policia në kufi

Pas rreth një jave në arrati, Policia ka arritur ta arrestojë edhe të dyshuarin tjetër për tentim vrasjen në fshatin Siboc të Podujevës, ku si pasojë e një përleshjeje, ka mbetur i plagosur me armë zjarri një 53-vjeçar. I dyshuari i dytë është kapur mbrëmë në kufi dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që ka rënë në prangat e Policisë është Fehim Kadriu, 48-vjeçar, i cili është ndaluar pas mesnate në Merdar dhe nga aty është shoqëruar në stacion policor.

Përveç Kadriut, ka raportuar se lidhur me këtë rast i dyshuar është Ejup Behrami.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 23 maj pas konfliktit për shitblerjen e një traktori, ku më pas situata ka eskaluar në përleshje fizike.

Përpos 53-vjeçarit i cili mori dy plagë nga shkrepja e armës, të lënduar kanë mbetur edhe tre persona tjerë, përfshirë edhe një të mitur dhe vetë të dyshuarin Behrami.

Të lënduarit kanë marrë ndihmën mjekësore në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkohë që Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar te Behrami një armë me një karikator, e cila dyshohet se u përdor në rast, ndërsa në vendngjarje është gjetur një gëzhojë, një shkop druri dhe një mjet bujqësor.

Ndaj dy të dyshuarve kanë nisur hetimet për veprat penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Go to TOP