Evropa në Prishtinë, 12 ekipe kombëtare gati për super-kampionate

Çdo gjë është gati për fillimin e dy Kampionateve Evropiane për hendbollistët deri në 20 vjet që për plot tetë ditë do të mbahen në kryeqendrën tonë.

Ndeshja mes Sllovakisë dhe Luksemburgut, që zhvillohet të dielën nga ora 09:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, shënon fillimin e dy kampionateve, Men’s 20 EHF Championship I dhe II.

Në kuadër të “Men’s 20 EHF Championship II” të dielën janë edhe ndeshjet Finlanda – Britania e Madhe (11:30) dhe Belgjika – Bullgaria (13:45).

Ndërkohë në “Men’s 20 EHF Championship I”, që është nivel më i lartë, ndeshjet e xhiros së parë që zhvillohen të dielën, janë: Italia –Estonia (16:00), Holanda – Kosova (18:15), Mali i Zi – Gjeorgjia (20:30).

Para ndeshjes së Kombëtares sonë, përkatësisht nga ora 18:00, është ceremonia hapëse.

Federata e Hendbollit e Kosovës në koordinim me Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF) ka bërë të gjitha përgatitjet që dy Evropianët e radhës që organizohen në vendin tonë të kenë rrjedhë shembullore.

FHK-ja tashmë shumë herë është konfirmuar e rikonfirmuar si organizatore shembullore e ngjarjeve ndërkombëtare të hendbollit. Dhe Prishtina, edhe këtë verë, do të jetë adresë e rëndësishme e hendbollit evropian. /Kosova.info/

Go to TOP