Linda Noskova triumfon në Wimbledon

Tenistja çeke Linda Noskova ka shkruar historinë duke fituar titullin e parë Grand Slam në karrierë, pasi ka triumfuar në Wimbledon pas një finale dramatike ndaj bashkëkombëtares së saj Karolina Muchova.

Noskova, e renditur e nënta në turne, fitoi me rezultat 6:2, 5:7, 6:3 në një përballje që ka zgjatur dy orë e njëzet e tetë minuta.

Tenistja njëzet e një vjeçare ka qenë shumë pranë humbjes pasi ka shpërdoruar pesë pikë për titull në setin e dytë. Në atë moment ajo është përfshirë nga emocionet dhe ka shpërthyer në lot, pasi dukej se fitorja po i ikte nga duart.

Megjithatë, Noskova ka treguar forcë të madhe psikologjike, duke u rikthyer në lojë dhe në setin vendimtar ka arritur ta mbyllë ndeshjen në favor të saj.

Me këtë triumf, ajo është bërë tenistja më e re që fiton Wimbledonin në pesëmbëdhjetë vitet e fundit.

Ky është titulli i tretë në karrierën e saj, por pa dyshim më i rëndësishmi. Suksesi i saj kujton edhe triumfin e bashkëkombëtares Petra Kvitova, e cila kishte të njëjtën moshë kur fitoi Wimbledonin për herë të parë në vitin 2011.

Një moment i veçantë për Noskovën ishte fakti se Kvitova, idhulli i saj i fëmijërisë, e ndoqi finalen nga tribuna speciale dhe e përshëndeti triumfin e saj.

Noskova është bërë pjesë e një tradite të jashtëzakonshme të tenisit çek, pasi për të tretin vit në katër edicionet e fundit, një teniste nga Çekia ka fituar Wimbledonin, pas Barbora Krejcikovës në vitin 2024 dhe Marketa Vondrousovës në vitin 2023.

Rruga e saj drejt titullit ishte veçanërisht e veçantë, pasi para këtij turneu nuk kishte kaluar asnjëherë çerekfinalet në një Grand Slam.

Ajo gjithashtu është vetëm tenistja e tretë në epokën moderne të tenisit që fiton Wimbledonin pasi ka shpëtuar një pikë ndeshje gjatë turneut, duke iu bashkuar emrave të mëdhenj si Venus Williams dhe Serena Williams.


Go to TOP