Tensione në Kuvendi, deputetja e PDK-së ia kap mikrofonin Kurtit: Mos shit përralla

Diskutimi i kryeministrit Albin Kurtit në seancën e sotme parlamentare për rritjen e çmimit të naftës ka shkaktuar revoltën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Derisa ai ishte duke i përmendur masat që kanë ndërmarrë si qeveri për zbutjen e inflacionit, deputetët e PDK-së kanë kërkuar që ai të dalë në temë duke ia ndalur fjalën.

Kurti tha se për detyrë kanë që të gjejnë rrugë të drejtë e jo të kërkohen zgjidhje të shpejta.

Kurti: Detyra jonë nuk është të gjejmë rrugën më të lehtë

“Detyra jonë nuk është të gjejmë rrugën më të lehtë, është ta zgjedhim rrugën më të drejtë, më të dobishme dhe më të qëndrueshme për vendin tonë. Situata aktuale në tregun e derivateve ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha të botës. Ndërkaq, tek ne efekti më dramatik nuk ka dhënë ende shenjat e veta, pasi nuk ka pasur kufizim të furnizimit dhe as humbje të derivateve në treg”, tha Kurti.

Ai ka kundërshtuar kërkesën e opozitës për heqjen e akcizës për karburante, duke thënë se është zgjidhje e kushtueshme.

Kurti: Për këto gjashtë vjet masat e para të propozuara kanë qenë heqja apo ulja e TVSh-së

“Kërkesat e parashtruara me thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme nuk janë të reja ose të papritura, në vazhdimësi në secilën krizë apo luhatje, të cilat kanë qenë shumë në këto gjashtë vitet e fundit, të parat masa të propozuara kanë qenë heqje apo ulja e TVSh-së dhe në këtë rast edhe e akcizës për naftën. Në pamje të parë, kjo duket si një zgjidhje e thjeshtë dhe e shpejtë, por në realitet është një zgjidhje e kushtueshme dhe me efekt të pasigurt. Ashtu siç e kemi parë, kur është bërë ulja e TVSh-së për produktet esenciale nga 18 për qind në 8 për qind në vitin 2016, çmimet e këtyre nuk kanë rënë. Efekti ka qenë i padukshëm për konsumatorët, e njëjta situatë është rishfaqur kur është ulur TVSh-ja në gastronomi gjatë pandemisë, çmimet nuk janë ulur me uljen e TVSh-së por janë ngritur me kthimin e saj në vlerën reale”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, politikat që kanë ndjekur si qeveri kanë dhënë efekt të drejtpërdrejt social.

Kurti: Jemi duke e përgatitur pakon prej 200 milionë euro

“Në përmbushje të njërit prej pesë zotimeve të veçanta për fillimin e këtij mandati qeverisës jemi duke e përgatitur pakon për përballje me inflacion 2.0, në vlerë të gjithëmbarshme prej 200 milionë euro që do ta sjellim këtu para jush natyrisht”, shtoi Kurti.

Derisa po e vazhdonte diskutimin, duke përmendur se çfarë kanë bërë prej kur janë në pushtet, deputetet e PDK-së kanë shprehur revoltën e tyre duke i kërkuar që të flasë për pikën e sotme të rendit të ditës.

Deputetja Arbnora Salihu ka larguar flamurin kombëtar nga foltorja, duke e vendosur pranë deputetit Nait Hasani. Më pas, ajo është parë duke shkuar tek nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili i ka kërkuar që të ulet.

Më pas, ka reaguar edhe deputetja Ganimete Musliu, duke ia marrë mikrofonin Kurtit.

Musliu-Kurtit: Kthehu në temë e mos shit përralla

“A ka mundësi me u kthy në temë kryeministër, sepse i ke pasur katër vjet me qeveris dhe nuk ke realizuar asnjë projekt. Kthehu në temë dhe mos na shit përralla. Kthehu në temë, thirre kabinetin qeveritar këtu edhe ti i nderuar mbaje rendin, mbaje rendin. Kryeministër kthehu në temë, jo jo kthehu në temë kryeministër prapë do ta ndali, nëse nuk kthehesh me fol për naftë nuk do të flasësh”, ka thënë Musliu.

Ndërkaq, Kurti kërkoi që të ruhet qetësia institucionale.

Kurti-opozitës: Ruani qetësinë institucionale

“Unë ju kisha lutur të gjithëve që të ruani qetësinë institucionale dhe përgjegjësinë e përfaqësuesit të popullit. Ju lutem ruane qetësinë insitutucionale. Ju lutem rikthehemi në temë”, tha Kurti.


Go to TOP