Tasholli: Çlirimtarë nuk jeni vet, pas jush qëndron një popull i tërë që do Drejtësi

Ideatori dhe përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli ka falënderuar qindra mijëra qytetarë që i janë bashkuar Marshit “Drejtësi, jo politikë” dhe të gjitha personalitetet dhe kategoritë e shoqërisë që e kanë mbështetur këtë kauzë për drejtësi të paanshme dhe dinjitet.

Tasholli tha se drejtësia nuk mund të jetë selektive, nuk mund të jetë e dirigjuar, por duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë për të gjithë.

“Qytetarët duan Drejtësi, Jo Politikë. E sot, nga kjo ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë – për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep  Selimin dhe të gjithë të tjerët: ju nuk jeni vetë. Pas jush qëndron një popull i tanë. Pas jush qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë. Ata nuk janë vetëm”, theksoi ai.

Tasholli tha se populli i Kosovës nuk mund të pranoj që procese që zhvillohen në emër tij të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën, apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë.

“Nëse drejtësia devijon nga parimet e barazisë dhe paanshmërisë, dhe kur gjyqi në Hagë thirret se vepron “në emër të popullit të Kosovës”, atëherë ne kemi të drejtë morale dhe qytetare të themi qartë: jo në emrin tim, jo në emrin tonë”, deklaroi ai.

Tasholli tha se kur flitet për UÇK-në, aty nuk ka ndarje, sepse Ushtria Çlirimtare është themeli i lirisë tonë.

“Në çdo fshat e në çdo qytet ku kemi shkelë me Elizën për organizimin e marshit, një fjalë ka qenë mbi të gjitha – UÇK-ja. Ka qenë fjala e nderit, fjala që na ka bashku, fjala që i ka mbush sytë me lot e zemrat me krenari. S’ka pasë shpi, s’ka pasë shesh, s’ka pasë takim ku emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mos me u përmend me respekt e dashni. E kemi pa me sytë tanë sa shumë e don ky popull UÇK-në – si simbol, si sakrificë, si themel lirie, si pjesë e identitetit tonë. Ajo ka qenë ndjenja që na ka lidhë kudo, krenaria që nuk shuhet dhe betimi i heshtun që nderi i saj nuk preket”, shtoi ai.

Duke uruar 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Tasholli kujtoi sakrificat e popullit tonë për të arritur deri te liria.

“Mbi 12 mijë qytetarë të vrarë e të masakruar. Mbi 1600 persona ende të pagjetur. Mbi 1500 fëmijë nën moshën 18-vjeçare, të vrarë. Mbi 20 mijë gra të dhunuara. Mbi 1 milion qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Mbi 500 mijë shtëpi të djegura, bashkë me shkolla, spitale e institucione. Rreth 3 mijë dëshmorë dhe mbi 3 mijë të plagosur. Këto nuk janë vetëm statistika. Janë plagë të hapura. Janë familje që presin. Janë nana që s’e dinë ku e kanë vajzën apo djalin. Janë fëmijë që u rritën pa prindër. Janë gra që e mbajnë dhimbjen si barrë të heshtur. Janë qytete të tëra që u zbrazën me dhunë. Prandaj duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. Mes atij që erdhi për të pushtuar, për të djegur e për të dëbuar, dhe atij që u ngrit për t’u mbrojtur. Mes një lufte pushtuese dhe një lufte çlirimtare”, tha Tasholli.

Krasniqi: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, duhet të lirohen, ata e mbrojtën popullin e vetë si gjithë Ushtria Çlirimtare

Fjalë mbajti edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë. Mes emocionesh tha se liria nuk erdhi vetvetiu, por me gjak e sakrificë.

“Na flasim për drejtësi dhe krimet që kreu Serbia në Kosovë, ne jemi të gjithë këtu për t’i liruar ata nga Haga. Nëse doni me ditë çka e bashkon popullin shqiptar është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit gjithë juve që i shërbyet atdheu kur më së shumti kishte nevojë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, ata duhet të lirohen, ata e mbrojtën popullin e vetë si gjithë Ushtria Çlirimtare”, tha ajo.

Haziri: Sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm një familjeje, por i përket gjithë popullit

Para mijëra qytetarëve foli edhe djali i Xhavit Hazirit, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroit të kombit,  i cili ende figuron si i zhdukur.

Çlirim Haziri tha se babai i tij është një hero që doli për liri e nuk u kthye më kurrë.

“Ka një mungesë me të cilën nuk mësohesh asnjëherë, një pritje që nuk mbaron, një vend të zbrazët në familje që nuk zëvendësohet kurrë. Kjo është jeta jonë, jeta e familjeve të të zhdukurve, këtë ndjenjë e kam që kur isha 7 vjeç. Por, unë nuk u rrita me urrejtje, u rrita me krenari, sepse ata që nuk janë në mesin tonë sot, nuk u sakrifikuan për veten, por sakrifikuan që ne sot të jemi të lirë”, tha ai.

Tutje, Haziri që në krah mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare tha se kur preket sakrifica, të gjithë janë bashkë.

“Ne, sot, të mbledhur këtu nuk jemi familje të ndara, por familje e madhe e sakrificës, jemi familja e Rexhës, bacës Jakup, familja e Kadriut, familja e Hashimit, sepse kur preket sakrifica, qohemi të gjithë bashkë, sepse sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm një familjeje por i përket gjithë popullit”.

Ai tha se 17 shkurti nuk është vetëm festë, por është betim.

“Betim që nuk harrojmë sakrificën, që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë, betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë, betim që e mbrojmë me dinjitet luftën e UÇK-së”.

Shqipe Krasniqi: Sot kur kërkojmë drejtësi, nuk kërkojnë mëshirë

Ish- ushtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shqipe Krasniqi, që gjithashtu mbajti fjalë rasti në këtë manifestim, tha se si shumë vajza e gra shqiptare e mori armën e doli në front. “E vesha uniformën më të bukur në botë e iu bashkova radhëve të UÇK-së, jo sepse e doja luftën, por sepse e doja lirinë, sepse kur mohohet dinjiteti, rezistenca bëhet detyrim, sepse humbëm shumë”, tha ajo.

Krasniqi tha se bashkëluftëtarët e saj po përballen me padrejtësi nga Gjykata Speciale.

“Kjo na dhemb të gjithëve, sepse prekë kujtesën tonë, sakrificën tonë. Na dhemb se prekë dinjitetin tonë. Ky shtet që sot po feston 18 vjetorin nuk lindi rastësisht, lindi dhe u ndërtua mbi sakrificën e dëshmorëve, qëndresën e grave, durimin e nënave e mbi guximin e gjithë luftëtarëve”.

Ish- luftëtarja e UÇK-së tha se sot kur kërkojmë drejtësi, nuk kërkojnë mëshirë, kërkojnë drejtësi të vërtetë, pa politikë, drejtësi të paanshme, drejtësi që respekton faktet dhe rrethanat e kohës. “Sepse kur gjykohet padrejtësisht sakrifica, lëndohet kujtesa e popullit tonë. Ballafaqimi me drejtësinë është pjesë e shtrembërimit, por drejtësia duhet të jetë e drejt, e barabartë, e pandikuar, sepse kur lëndohet drejtësia, lëndohet besimi, e kur lëndohet besimi, rrezikohet e ardhmja”. /Kosova.info/


Go to TOP