Takim zyrtar gjithëpërfshirës lidhur me zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës”
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt takim zyrtar lidhur me
planifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale
2025”, të cilat do të mbahen me datën 12 tetor 2025.
Në këtë takim kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm
të PK-së kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e
përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga Prokuroria e Shtetit, KQZ-
ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja, zyra e BE-së në Kosovë etj.
Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në
ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe
koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas marrëveshjes së
bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të
sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Ndër të tjera pjesë e diskutimit ishte krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt, me qëllim të
ushtrimit të së drejtës së votimit të lirë për të gjithë qytetarët, si edhe inicimi e procedimi i
çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave
procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që
rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe
demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, sipas
planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, mbetet e
përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë
profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj
inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe
institucionet kompetente dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që
ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, përmes linjës fikse
dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet
më të afërta policore.
