Tahiri (AAK): Një mocion mosbesimi është përgjigja për Qeverinë Kurti

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se për këtë parti, është tepër me rëndësi që të niset një mocion i mosbesimit për Qeverinë Kurti.

Ai tha se dje kanë kërkuar që Kurti të dorëhiqet për qasjen që e ka, ku sipas tij, Kosova po vazhdon me shpejtësi ta humb sovranitetin në veri.

“Nga vendimi për tabela, Kosova në atë pjesë vetëm po e humb sovranitetin. Kjo qasje na solli ku KFOR-i dislokon trupa shtesë në veri, bazuar në Rezolutën 1244. Në fakt, po ndodh ky dislokim 15 vjet pas shpalljes”.

“Qeveria Kurti na solli në një situatë ku ShBA-të na vendosin sanksione të cilat e kanë goditur në themele funksionimin e këtij shteti”, tha Tahiri.

Tutje, ai tha se për AAK-në institucionet janë të shenjta, e as kriminelët e Vuçiqit nuk do të mundin ta sfidojnë shtetin e Kosovës.

“Por, shteti e shtëpia mbahet me miq, e mik më të mirë se Amerikën ky popull s’ka. Prandaj, mendojmë që një mocion mosbesimi është përgjigja. Jo për të fituar politikisht, sepse ne e dimë ku po jetojmë. E dimë se ky komunikim, nuk është ai që ka qejf një parti politike ta bëjë, por e kemi përgjegjësi shtetërore t’i themi Qeverisë Kurti e popullit të Kosovës se kjo është rrugë qorre”, tha Tahiri

Go to TOP