Syla: PDK-së i duhen më shumë kandidatë – një grua dhe një ish-pjesëtar i lartë i UÇK-së do ta forconin garën
Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës duke kërkuar që gara e brendshme për kryetar të mos reduktohet vetëm në dy kandidatë. Ai ka kujtuar standardin e vetëm të mirëfilltë demokratik të vendosur dikur nga ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, i cili kishte organizuar garë të hapur të brendshme pa improvizime apo pengesa statutare – një proces nga i cili ai vetë kishte dalë humbës ndaj Isa Mustafës.
Syla theksoi se ky standard nuk është përsëritur nga asnjë parti politike shqiptare në Kosovë duke nënvizuar nevojën për më shumë transparencë e hapje në proceset e brendshme të partive.
Ai u ndal te gara aktuale e PDK-së ndërmjet Bedri Hamzës dhe Enver Hoxhajt duke vlerësuar profilin e tyre politik, por njëkohësisht duke kërkuar zgjerim të alternativave brenda partisë.
Sipas Syla-s, PDK duhet të ofrojë së paku edhe dy kandidatë të tjerë:
– një grua, që do të sillte përfaqësim të drejtë dhe modern të partisë,
– dhe një figurë që ka mbajtur pozita të larta brenda UÇK-së, përfaqësuese të një pjese të rëndësishme të historikut të partisë.
“Kështu, askush nuk do të humbiste – vetëm PDK do të fitonte”, u shpreh Syla duke sugjeruar se një garë e vërtetë demokratike do ta forconte imazhin e partisë dhe do të rriste legjitimitetin e kryetarit të ri. /Kosova.info/
