Syla: Afati kushtetues skadon më 26 prill, nëse kuvendi nuk konstituohet, presidentja mund të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme
Gazetari dhe diplomati Donat Syla ka publikuar një informacion ekskluziv në lidhje me afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas Kushtetutës, afati i fundit për konstituivin e Kuvendit është data 26 prill, që është 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore më 27 mars.
Në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati, presidentja e vendit ka të drejtën, mandatin dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Sipas Sylës, ky afat kushtetues është arsyeja pse Presidenca i është përgjigjur në mënyrë të menjëhershme dhe eksplicite letrës së deputetit më të vjetër, Avni Dehari duke theksuar se seanca e radhës duhet të mbahet brenda 48 orëve nga dështimi i seancës së mëparshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pavarësisht zvarritjeve politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Kushtetuta është e qartë: nëse deri më 26 prill nuk ndodh konstituivi, vendi mund të shkojë drejt një cikli të ri zgjedhor. Kjo situatë e vë në alarm të gjitha partitë politike që ende nuk kanë arritur një marrëveshje për postin e kryeparlamentarit. /Kosova.info/
