Quni nga Kievi: Qëndresa e Ukrainës mbron vlerat demokratike të botës së lirë
Ish-ministri dhe veterani i luftës, Anton Quni, ka bërë të ditur se së bashku me bashkëluftëtarin Xhafer Gashi ka marrë pjesë në një forum ndërkombëtar të veteranëve në Kiev të Ukrainës, ku u diskutua roli i veteranëve në ndërtimin e shteteve demokratike.
Quni njoftoi se në takimin, të organizuar nga CENSS, morën pjesë veteranë nga Ukraina, Kosova, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, ndërsa tema kryesore ishte “Nga Vëllazëria e Luftës te Shtetndërtimi Demokratik: Kapitali Politik i Veteranëve dhe Rasti i Kosovës”.
Sipas tij, gjatë prezantimit u ndanë përvojat e Kosovës në tranzicionin nga lufta drejt angazhimit institucional duke theksuar se veteranët duhet të jenë faktor stabiliteti, demokratizimi dhe zhvillimi të shtetit.
Gjatë qëndrimit në Kiev, delegacioni vizitoi Qendrën e Rehabilitimit të Invalidëve të Luftës, bëri homazhe në Sheshin e Pavarësisë për heronjtë e rënë të Ukrainës dhe pa nga afër ekspozitën e mjeteve luftarake të shkatërruara.
Quni theksoi se përvoja e përbashkët e vendeve të rajonit dëshmon se miqësitë e krijuara në kohë lufte mbeten të forta edhe në paqe duke shtuar se qëndresa e Ukrainës sot përfaqëson mbrojtjen e vlerave demokratike të gjithë botës së lirë.
Në përfundim të mesazhit të tij, ai shprehu solidaritet me popullin ukrainas me thirrjen: “Lavdi Ukrainës! Slava Ukraini!”. /Kosova.info/
