Surdulli: Petroci do të ketë infrastrukturë moderne e mbështetje për bujqësinë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka zhvilluar sot një vizitë në fshatin Petroc, ku u njoh nga afër me nevojat dhe mundësitë e këtij fshati me potencial të madh zhvillimor.

Surdulli tha se Petroci është pjesë e rëndësishme e komunës, prandaj meriton vëmendje dhe investime serioze. Ai premtoi rrugë më të mira, ujësjellës funksional, infrastrukturë moderne, hapësira për të rinjtë si dhe mbështetje për bujqësinë dhe bizneset vendore.

“Ndryshimi i vërtetë vjen përmes planit dhe punës, jo premtimeve boshe. LDK mbetet garancia më e fortë për stabilitet dhe zhvillim afatgjatë edhe për Petrocin,” theksoi ai.

Në këtë aktivitet, Surdulli prezantoi gjithashtu edhe kandidatin për delegat të Kuvendit Komunal nga ky fshat, arkitektin Endrit Jakupi, i cili garon me numrin 20 në listë. Sipas tij, Jakupi me profesionalizmin dhe energjinë e tij do të sjellë ide dhe projekte të reja për Petrocin dhe për gjithë komunën.

Ai ftoi qytetarët që më 12 tetor të mbështesin LDK-në duke votuar numrin 113 për kryetar të Komunës së Kamenicës dhe kandidatin Endrit Jakupi për kuvend komunal. “Së bashku mund ta bëjmë Petrocin shembull të zhvillimit dhe kujdesit që e meritojnë të gjitha fshatrat tona,” tha Surdulli. /Kosova.info/


Go to TOP