Sulm i fuqishëm me veturë bombë në Pakistan, së paku dhjetë të vrarë
Një sulm i fuqishëm me veturë bombë afër selisë qendrore të forcave paramilitare të sigurisë la të të vrarë të paktën dhjetë njerëz të martën në Pakistan, ndërsa 30 të tjerë pësuan lëndime, thanë autoritetet pakistaneze.
Para se të aktivizohej vetura bombë, gjashtë militantë që ndodheshin brenda saj dolën dhe u ballafaquan me pjesëtarët e forcave të sigurisë gjatë të shtënave intensive, sipas policisë. Raportohet se të gjithë gjashtë sulmuesit janë vrarë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Banorët thanë se shpërthimi në qytetin jugperëndimor Quetta mund të dëgjohej me kilometra larg. Autoambulancat shkuan me nxitin në vendin e ngjarjes dhe ekipet e shpëtimit i dërguan të plagosurit në spitalet e afërta.
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, edhe pse dyshimet pritet të bien mbi separatistët, të cilët shpesh vënë në shënjestër civilë dhe forca të sigurisë në Baloçistanin e goditur nga kryengritjet, ku Quetta është kryeqytet provincial.
Ministri provincial i Shëndetësisë, Bakhat Kakar, tha se numri i të vrarëve mund të rritet. Ai tha se në shënjestër të sulmuesve ishte selia qendrore e forcave të sigurisë, por shumica e të vrarëve dhe të plagosurve janë civilë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Mohsin Naqvi, tha se gjashtë sulmues ishin të përfshirë në sulm dhe se të gjithë u vranë nga forcat e sigurisë.
Mohammad Usman, i cili jeton afër selisë qendrore të forcave paramilitare, tha se nga shpërthimi u drodh e tërë lagjja. “Xhamat e dritareve në shtëpinë time u thyen dhe një pjesë e ndërtesës u dëmtua, por, faleminderit Zotit, të gjithë jemi të sigurt” – tha ai, duke shtuar se kishte dëgjuar të shtëna armësh pas shpërthimit.
