Policia gjermane arreston një sirian të dyshuar për krime kundër njerëzimit

Policia gjermane të martën arrestoi një burrë sirian të dyshuar për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen dhe torturimin, si ish-udhëheqës i një grupi militant në Aleppo të Sirisë në vitin 2011, thanë prokurorët.

Shtetasi sirian, i identifikuar vetëm si Anwar S. në vijë me ligjet gjermane për privatësinë, dyshohet se ishte udhëheqës i grupit militant “Shabiha” i dislokuar në Aleppo në emër të udhëheqjes së presidentit të atëhershëm sirian, Bashar al-Assad, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Prokurorët thanë se në tetë raste mes prillit dhe nëntorit të vitit 2011 pas lutjeve të së premtes, i dyshuari dhe militantët e tij kishin goditur civilë me shkopinj, gypa të metaltë dhe mjete të tjera për shpërndarjen e protestave. Në një deklaratë, prokurorët gjermanë thanë se besohet që janë përdorur edhe elektroshokat.

Disa protestues u ishin dorëzuar policisë dhe autoriteteve të inteligjencës dhe, gjatë mbajtjes në ndalim, ishin subjekt i abuzimit të rëndë, thanë prokurorët, duke shtuar se në një rast, një protestues kishte vdekur.

Agjencia “Reuters” nuk ia doli që ta kontaktonte menjëherë avokatin e të arrestuarit për t’i marrë një koment.

Gjermania ka vënë në shënjestër disa ish-zyrtarë sirianë viteve të fundit sipas ligjeve për juridiksion të përgjithshëm, të cilat u mundësojnë prokurorëve që të kërkojnë gjykime për të dyshuarit për krime kundër njerëzimit që mund të jenë kryer kudo në botë.


Go to TOP