Suedia me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën
Qeveria e Suedisë njoftoi se do t’i japë Ukrainës një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 443 milionë dollarësh, që do të përfshijë mjete ushtarake dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Megjithatë, Qeveria suedeze tha se aktualisht nuk ka në plan që t’i dërgojë Ukrainës avionë luftarakë.
Kjo do të jetë pakoja e 17-të që Suedia do t’i dërgojë Ukrainës, që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.
Pakoja e fundit e ndihmës do të përfshijë gjashtë mjete sulmuese detare CB90, sisteme portative kundërajrore si dhe municione për armët e dhuruara më herët, përfshirë për makinat sulmuese të këmbësorisë, CV90.
Në pako po ashtu përfshihen raketahedhës shtesë të llojit, AT4.
Gjysma e pakos i është kushtuar blerjes së pjesëve për ndërtimin e avionëve luftarakë të Suedisë, Gripen, edhe pse Qeveria tha se “aktualisht” nuk ka plane që të transferojë në Ukrainë avionë suedezë.
Megjithatë, shteti tha se dëshiron të jetë i përgatitur që kur të jetë momenti i duhur të dërgojë avionë.
Më herët, Suedia i kishte dërguar Ukrainës sistemet e saj mobile të mbrojtjes ajrore, Archer, 50 nga makinat e saj luftarake CV90, por edhe rreth 10 tanke Leopard 2 dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.