Stanovci: 300 përfitues marrin shërbime në shoqatën ‘Down Syndrome Kosova’
Sot është Dita Botërore e Personave me Sindromën Down. Riada Stanovci nga organizata “Down Syndrome Kosova” tha se “janë 300 përfitues aktivë në pesë qendra të Kosovës që marrin shërbime në këtë organizatë”.
Sipas saj, këtë vit 21 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down – do të shënohet me thirrjen “Hej Kosovë, edhe sa?” dhe se aktivitetet kryesore në këtë ditë janë për mbledhjen e fondeve pasi që këtë vit organizata është rrezikuar të mbyllet dhe vazhdon të rrezikohet për shkak të mungesës së fondeve.
“Mbështetjet që i marrim janë shumë të pakta në raport me kërkesat dhe nevojat tona”, tha Stanovci.
Ndër të tjera, ajo bëri me dije se “ne funksionojmë me donacione të ndryshme me projekte”. “Donatorët që i kemi pasur deri tash kanë shkuar drejt mbylljes”, tregoi ajo.
Po ashtu, ajo bëri me dije se shërbimet që ofrohen në “Down Syndrome Kosova” janë pa pagesë.
“Në mënyrë që të kontribuohet për organizatën, në bashkëpunim me ‘Valën’ edhe sot është mundësia të dërgohet një sms në numrin 55550, me tekstin ‘me zemër’. Nuk ka limit të sms-ve. Në këtë formë mund të kontribuohet për organizatë. Përveç kësaj mundësie të mbështetjes, është edhe linku GoFoundMe, që vazhdon të jetë i hapur për përkrahje edhe pas 21 marsit”, tha ajo.
Gjithashtu, ajo bëri me dije se presidentja Vjosa Osmani sot pritet ta vizitojë qendrën në Prishtinë.
