Kampi Bondsteel lidhet me sistemin e rrjetit elektrik të Kosovës
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka njoftuar se Kampi Bondsteel është lidhur me sistemin e rrjetit elektrik të Kosovës.
Këtë njoftim Mehaj e ka bërë përmes një postimi në Faceebok, ku ka shtuar se kjo ngjarje do të ndihmojë në përgatitjen e Kampit Bondsteel për të ardhmen duke reduktuar në masë të madhe përdorimin e gjeneratorëve ndotës me naftë.
“Sot së bashku me Kryeministrin Kurti, Ministrin Aliu, Ministrin Sveçla, Ambasadorin Hovenier, si dhe shumë personalitete tjera përuruam lidhjen e Kampit Bondsteel me sistemin e rrjetit elektrik të Kosovës. Përveç komandantit të Bondsteel-it, Kolonel Matt DiNenna në ceremoninë e sotme ishte edhe eprori i tij, gjeneralmajor James Smith”, ka thënë ministri.
“Kjo ngjarje e rëndësishme do të ndihmojë në përgatitjen e Kampit Bondsteel për të ardhmen duke reduktuar në masë të madhe përdorimin e gjeneratorëve ndotës me naftë. Prania e fuqishme e Qeverisë është dëshmi e përkushtimit të thellë të Kosovës ndaj partnerëve tanë të NATO-s dhe ndaj aleatit tonë kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Mehaj.


