SPERTK reagim ndaj RTK-së: Kërkojmë përdorim korrekt të emrit tonë zyrtar

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka reaguar ashpër pas shtrembërimit të emrit dhe akronimit të saj në edicionet qendrore të lajmeve të RTK-së, të shtunën që shkoi dhe sërish të dielën në mbrëmje.

Në reagimin e saj zyrtar, SPERTK thekson se përdorimi i pasaktë i emrit të sindikatës është i papranueshëm dhe kërkon që në çdo rast të përdoret emri dhe akronimi zyrtar SPERTK, në formën e tyre të saktë dhe të plotë, ashtu siç parashikohet nga rregullorja profesionale dhe etika gazetareske.

“Sindikata jonë nuk kërkon asnjë atribuim të veçantë, por vetëm korrektësi dhe shqipërim të saktë të emrit dhe akronimit të saj. Çdo pasaktësi në këtë drejtim, nga sot e tutje, do të konsiderohet e qëllimshme dhe do të trajtohet sipas ligjeve në fuqi,” thuhet në reagimin e sindikatës.

SPERTK u bën thirrje drejtuesve të RTK-së që të marrin me seriozitet këtë çështje dhe të kujdesen që gabime të tilla të mos përsëriten në asnjë adresim të ardhshëm.

“Është obligim profesional dhe institucional të respektohen të gjitha subjektet, përfshirë edhe sindikatat, duke ruajtur korrektësinë në raportim,” përfundon reagimi i SPERTK-së. /Kosova.info/


Go to TOP