Sot në Prishtinë protestohet pro tërheqjes së 30 përqindëshit nga Trusti

Sot në orën 12:00 në Prishtinë do të mbahet protestë pro tërheqjes së 30 përqindëshit nga Trusti.

Protesta do të mbahet para Qeverisë së Kosovës.

Një ditë më parë Komisioni për Buxhet nuk miratoi Projektligjin që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, ndërkaq ky projektligj pritet të shkojë javën e ardhshme në seancë pa miratimin e Komisionit.

Iniciuesi i Projektligjit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në një prononcim për Telegrafin tha se beson që deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve për të votuar tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

“Votat janë të deputetëve, besoj se do të dëgjojnë zërin e qytetarëve për të votuar Trustin në Kuvend”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu gjatë prezantimit të propozimit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me krizë ekonomike dhe së është e nevojshme që të kalon ky ndryshim. Po ashtu, ai ka treguar se sa është përqindja që qytetarët duhet t’i tërheqin kursimet.

“Pjesëmarrësit mund t’i tërheqin kursimet nën 10 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 30 për qind, ata që kanë deri 19 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 25 për qind. Kurse ata që kanë deri 29 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 20 për qind dhe për ata që kanë deri 39 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 15 për qind. Më shumë se 40 mijë euro kanë të drejt t’i tërheqin deri 10 për qind”, ka treguar ai.

Ndryshe, partitë opozitare, PDK, LDK e AAK janë shprehur pro tërheqjes së një përqindjeje të mjeteve nga Trusti, ndërkaq këtë ide nuk po e përkrahë Lëvizja Vetëvendosje. 

Go to TOP