Sondazh: Petrit Hajdari (PDK) prin në Drenas – Lladrovci ndjek me diferencë të moderuar
Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se në Komunën e Drenasit prin kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Petrit Hajdari, ndërsa në vendin e dytë renditet Ramiz Lladrovci, kandidati i iniciativës qytetare “Për Drenasin Kampion”.

Sipas sondazhit, Petrit Hajdari (PDK) udhëheq me 47.3%, duke e vendosur PDK-në në pozicion të fortë për të rikthyer drejtimin e komunës.
Ramiz Lladrovci, që garon me listën qytetare “Për Drenasin Kampion”, mban 39.6%, një rezultat që tregon se ai ruan një bazë të fuqishme elektorale dhe mbetet në garë për një balotazh të mundshëm.
Në anën tjetër, Vetëvendosje (VV), LDK dhe AAK kanë përqindje të ulëta, me ndikim më simbolik në balancat e përgjithshme elektorale.
Sondazhi është zhvilluar gjatë periudhës 27 shtator – 4 tetor 2025, me 591 të intervistuar në qytetin e Drenasit dhe në disa fshatra përreth si Gllobar, Poklek, Komoran, Llapushnik dhe Tërstenik.
Procesi është realizuar në formë fizike dhe digjitale, në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, duke respektuar standardet profesionale të anonimitetit dhe përfaqësimit të drejtë demografik.
Me një diferencë prej rreth 7.6 pikë përqindjeje, Petrit Hajdari (PDK) shihet si favorit për të fituar raundin e parë, por Ramiz Lladrovci mbetet një rival serioz që mund ta çojë garën në një balotazh të ngushtë.
Sipas analistëve të Kosova.info, Drenasi mbetet ndër komunat më tradicionale për PDK-në, megjithatë pritet një betejë e fortë më 12 tetor./Kosova.info/
