Sondazh: Arian Tahiri (PDK) prin në Mitrovicë – Faton Peci (VV) ndjek nga afër, LDK e tretë

Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, tregon se në Komunën e Mitrovicës prin kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, duke lënë pas kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Faton Peci, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gëzim Plakolli.

Sipas sondazhit, Arian Tahiri (PDK) udhëheq me 46.6%, duke e vendosur PDK-në në pozitë të fortë për fitore që në raundin e parë.
Faton Peci (VV) renditet i dyti me 37.5%, një rezultat që tregon rritje të ndjeshme të mbështetjes për Vetëvendosjen në Mitrovicë, ndërsa Gëzim Plakolli (LDK) mban vendin e tretë me 15.9%, duke reflektuar një prani më të moderuar të kësaj partie në komunë.

Sondazhi është zhvilluar gjatë periudhës 27 shtator – 4 tetor 2025, me 831 të intervistuar në qytetin e Mitrovicës dhe zonat përreth si Suhodoll, Frashër, Gushac, Zhabar dhe Bajgorë.
Procesi është realizuar në formë fizike dhe digjitale, në bashkëpunim me OJQ “Vullneti Rinor”, duke respektuar standardet profesionale të anonimitetit dhe përfaqësimit të drejtë demografik.

Diferenca prej afro 9 pikë përqindjeje midis PDK-së dhe VV-së e bën Mitrovicën një ndër komunat më interesante të këtij cikli zgjedhor.
Sipas analistëve të Kosova.info, nëse trendi aktual vazhdon, Arian Tahiri (PDK) mund të sigurojë fitoren që në raundin e parë, megjithatë Vetëvendosje mbetet konkurruese me potencial për një balotazh të ngushtë./Kosova.info/


Go to TOP