Situata në veri, ekspertët e sigurisë: Serbia nuk po lë gur pa lëvizur, ndërkombëtarët t’i bëjnë më shumë trysni
Policët në veri të vendit tash e 12 ditë kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare përtej barrikadave.
Krahas barrikadave të vendosura, serbët kanë thirrur protestë gjithëpopullore me 22 dhjetorë.
Kjo thirrje sipas tyre është për shkak të mbështetjes së Kurtit nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, “i cili guxoi të caktojë ultimatume dhe afate për heqjen e barrikadave dhe ra në anën e terrorit dhe dhunës së Kurtit”, kështu thuhet në njoftimin e ashtuquajturit “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”.
Për situatën në veri dhe protestën e thirrur nga serbët për ditën e nesërme kanë folur për Front Online njohësit çështjeve të sigurisë.
Avni Islami, ekspert i sigurisë thotë se kjo situatë e tensionuar do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Por Islami, nuk beson se do të ketë përshkallëzim të gjendjes në veri.
“Do të vazhdoj e njëjta situatë edhe më tutje por nuk besoj që do të ketë përshkallëzim të situatës të mëtutjeshëm. Trysnia ndërkombëtare nuk është duke u bërë sa duhet tek presidenti serb dhe serbët lokal e gjithë kjo po bëhet për arsyeja që po i bëhet presioni Prishtinës për formimin e Asociacionit për komunat serbe”, u shpreh Islami.
Sipas Ismalit, gjendja në veri në këto 12 ditë është jashtë normales.
“Dy javët e fundit kemi parë një gjendje jo normale dhe përshkallëzuese në veri të Kosovës për shkak të grupeve kriminale që po protestojnë dhe barrikadave që kanë vënë në bashkëpunim me strukturat e sigurisë serbe dhe bashkëveprim të Vuçiqit”, theksoi Islami.
E njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala tha se përshkallëzimi i situatës varet nga Vuçiqi.
Ai thotë se shteti serb gjendjes së krijuar në veri po dëshiron t’i jap konotacion ndryshe.
“Serbia është duke tentuar që këtë situatë ta diskutojë në Bruksel dhe t’i jepet një konotacion më ndryshe politik. Se a pritët të ketë ndonjë përshkallëzim kjo varet krejt çka është diskutuar në takimin mes zyrtarit të NATO-së dhe Vuçiqit ku sipas të gjitha gjasave është diskutuar çështja e barrikadave”, thotë Shala.
Shala u shpreh për Front Online se thirrjet e serbëve për protesta po tregojnë se ky shtet nuk po lë asnjë gur pa lëvizur për interesat e saj.
“Për paralajmërimin e Listës Serbe për protestën gjithëpopullore që është thirrur për nesër duke kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës dhe duke tentuar që të negociohet lirimi i policit që gjendet në paraburgim kjo po e dëshmon faktin që Serbia nuk po e lënë asnjë gur pa lëvizur për interesat e saj duke tentuar që situatën në veri të përshkallëzoj më tutje deri te një konflikt të grupeve kriminale”, tha ai.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me situatën në veri për “The Guardian”, ku ka thënë se barrikadat s’mund të tolerohen edhe shumë gjatë, por se heqja e tyre mund të shkaktojë viktima.
E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të shtunën se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
