Situata e sotme në veri, policia jep detaje
Polica ka dhënë detaje rreth situatës së sotme të krijuar në veri të vendit, ku u arrestua ish-polici në pikën kufitare në Jarinjë si dhe bllokimin e rrugëve në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, që erdh si shkak i arrestimit të ish-policit.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe angazhimeve policore, sot në Pikën Kufitare Jarinje është ndaluar personi i dyshuar D.P. (M/S/K), njëherësh ish-pjesëtar i PK-së, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues. Personi i dyshuar ka qenë i përfshirë në organizimin e sulmeve në zyrat e KKZ-së dhe sulmeve ndaj personave zyrtarë të KQZ-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda.
“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, thuhet tutje.
Policia njoftoi se si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara, është mbyllur përkohësisht për qarkullim pika kufitare Jarinjë, andaj qytetarët mund të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.
“Si çdo herë Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës”.
